
Çfarë janë ortezat?
Ortezat janë pajisje mjekësore që aplikohen nga jashtë trupit për të mbështetur, stabilizuar, mbrojtur ose drejtuar një pjesë të sistemit neuromuskular dhe skeletor. Ato mund të përdoren për të përmirësuar funksionin, pozicionimin dhe sigurinë gjatë lëvizjes ose rikuperimit.
Funksioni i ortezës
Në varësi të diagnozës dhe objektivit klinik, një ortezë mund të kufizojë lëvizjet e dëmshme, të lejojë lëvizje të kontrolluar, të kompensojë dobësinë muskulore, të shpërndajë ngarkesën, të korrigjojë ose akomodojë një deformim dhe të mbrojë indet pas dëmtimit apo ndërhyrjes kirurgjikale.
Orteza të personalizuara dhe të gatshme
Ortezat e gatshme zgjidhen dhe përshtaten sipas përmasave të pacientit, ndërsa ortezat e personalizuara projektohen nga matjet, skanimi 3D ose modeli anatomik individual. Zgjedhja varet nga kompleksiteti i gjendjes, niveli i kontrollit të kërkuar dhe objektivat funksionale.
Vlerësimi dhe përzgjedhja
Përzgjedhja nuk bazohet vetëm te diagnoza. Vlerësohen forca muskulore, amplituda e lëvizjes, stabiliteti i artikulacioneve, tonusi, gjendja e lëkurës, ecja, niveli i aktivitetit, mjedisi i përdorimit dhe objektivat personale të pacientit.
Materiale dhe teknologji
Sipas funksionit, mund të përdoren termoplastikë, fibra karboni ose qelqi, tekstile teknike, alumin, çelik, silikon dhe materiale amortizuese. Skanimi dixhital,artikulacionet e rregullueshme dhe sistemet e mikro-rregullimit ndihmojnë në realizimin e një përshtatjeje më precize dhe funksionale.
